Pasditen e sotme, në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë ka pasur fluks në rritje të qytetarëve dhe automjeteve që lëviznin në drejtim të shtetit grek.

Për shkak të fluksit në rritje, Policia Kufitare shtoi në maksimum numrin e sporteleve, konkretisht me 5 sportele në dalje dhe 3 në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Njëkohësisht Shefi i Stacionit të Policisë Kapshticë mori kontakt me homologun në palën greke me qëllim që edhe policia kufitare greke të shtonte sportelet.

Pas takimit mes dy policive, pala greke shtoi sportelet dhe menjëherë filloi lëvizja e njëtrajtshme duke eliminuar radhët e krijuara për shkak të fluksit të madh që kishte në orët e pasdites.