Ligji për Komisionet hetimore do të ketë ndryshime.
Lajmin e bëri me dije kreu i grupit të PS, Taulant Balla pas konferencës së kryetarëve, ku se nevoja është urgjende dhe duhet të ngrihet komision për adresimin e të gjitha ndryshimeve në mënyrë që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Në dhjetor të 2022, Kushtetuesja i dha të drejtë mazhorancës për një kërkesë tjetër të një komisioni hetimor. Kërkesat e opozitës janë të pakufijshme në të drejtën e tyre për t’i propozuar por kjo s’do të thotë që s’kemi të drejtë t’i shqyrtojmë. Kuvendi të adresojë në mënyrë urgjente dhe të menjëhershme të gjitha vendimet e Kushtetueses në 20 vitet e fundit të cilat nuk janë në ligjin për organizimin e Komisioneve Hetimore. Bëhet fjalë për një ligj të miratuar në 2002 ndaj të cilit ka një sërë vendimesh të gjykatës Kushtetuese që duhen marrë në konsideratë. Edhe Rregullorja e Kuvendit ka nevojë për ndryshime. Ligji flet për shqyrtim nga ana e Byrosë së Kuvendit që ka qenë paraardhësja e Konferencës së Kryetarëve. Në mënyrë urgjente do të kemi mundësinë të ndryshojmë ligjin për komisionet hetimore. Propozimi im ka qenë të kemi një komision për adresimin e ndryshimeve dhe të ecim me një detyrim që Kuvendi duhet të respektojë vendimet e gjykatës kushtetuese”, tha Balla.
Për zgjedhjen e avokatit të Popullit, Balla u shpreh se opozita e pati mundësinë që bëjë propozime por nuk e shfrytëzoi.
“Do të ketë një komunikim nga ana e Komisionit të Ligjeve përsa i përket këtij procesi. Mendoj që duhet të jetë proces i hapur dhe sa më shpejt të jetë e mundur do t’i japim Shqipërisë një avokat populli, jo i PD. Opozita e pati të gjithë hapësirën dhe kohën e nevojshme, 8 muaj për t’i dhënë vendit avokat populli dhe nuk e shfrytëzoi. Ne do t’i japim mundësinë kujtdo që të shprehë interesin e tij. Do jetë proces i hapur”, shtoi Balla.