Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Stacionet e Policisë Golem dhe Plazh, si dhe me partnerët e Policisë Italiane, kanë vijuar patrullimet dhe kontrollet në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Kontrollet janë zhvilluar në zonat e hartëzuara si me risk për ndotje akustike, në qytetin e Durrësit, Golem dhe Plazh. Gjatë tyre janë kryer matje të nivelit të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në zbatim të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Sipas Policisë, matjet e kryera kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar nga legjislacioni në fuqi.
Paralelisht me kontrollet, efektivët kanë zhvilluar takime sensibilizuese me pronarë dhe administratorë subjektesh që zhvillojnë aktivitete me muzikë, duke i informuar për detyrimin për respektimin e nivelit të zhurmës dhe të orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore.
Gjatë verifikimeve është kontrolluar edhe zbatimi i orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, nga ora 11:00 deri në 24:00.
Policia e Shtetit apelon për respektimin e legjislacionit në fuqi dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo paligjshmëri, duke garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.





