Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se tre porositë e para që i ka dhënë kryeministri Edi Rama ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal kanë qenë për të.
Në një konferencë për mediat, ish-Presidenti theksoi se nuk janë 4 vizita të McGonigal në Shqipëri por aq janë regjistruar për momentin.
Sipas Metës nga hetimi do të dalin shumë më tepër vizita të paraportuara sipas ligjit të shtetit amerikan.
“Jam shumë i nderuar që tre porositë e para që i ka dhënë Edi Rama këtij zotërisë që është ndaluar nga FBI-ja, i ka dhënë kundër presidentit në detyrë në atë kohë Ilir Metës, për të bërë hetime të paligjshme nën autoritetin e FBI-së, për të ndikuar këtu dhe jashtë vendit dhe për të marrë dëshmi të rreme.
Çaushaj ka dhënë një pjesë të vogël të së vërtetës që unë e kam ditur.
Nuk janë 4 vizita, aq janë regjistruar për momentin. Nga hetimi do të dalin shumë më tepër vizita të paraportuara sipas ligjit të Shtetit amerikan që kanë qenë në funksion të lojërave të Edi Ramës për të shkatërruar stabilitetin.
Ne kemi punën tonë dhe drejtësinë tonë. Ne kemi dhe drejtësinë e popullit. Këta persona janë takuar dhe me prokurorë, dhe me gjykatës, me njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë dhe janë përdorur nga Edi Rama për të bërë shantazhe dhe mashtruar”, tha Meta.