Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas kaosit që është shkaktuar në Kuvend, për shkak se ai nuk është paraqitur për interpelancë me opozitën për çështjen McGonigal, por ia ka “deleguar” këtë detyrë ministres së tij, Elisa Spiropalit.
Rama e përshkruan si “histeri vetëgjyqësie politike e mediatike” atë që po ndodh në Kuvend, ndërsa shton se kush ka dy fije mend e kupton që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim ndaj tij.
Më tej shefi i qeverisë shprehet se marrëdhëniet e SHBA me vendin tonë janë më të forta se kurrë.
Reagimi i Ramës:
Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike, mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.
Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.