Skandali i aplikacionit “Aktiv1st” ka acaruar sërish klimën politike në vend. Pas publikimit të 266 faqeve dokumente, ku nëpunës të rangut të ulët dhe të lartë shtetëror dalin si përdorues të këtij aplikacioni tendencioz për qëllime elektorale të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama kërcënoi se të kallëzohen penalisht të gjithë ata persona që kanë publikuar këto të dhëna. Ai pretendon se këto të dhëna janë manipuluar e fabrikuar qëllimisht për të anatemuar PS.
Megjithatë, Rama nuk e konsideroi si të paligjshme krijimin dhe përdorimin e këtij aplikacioni.
Nga ana tjetër, opozita ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin, mazhorancën dhe titullarë të institucioneve publike se po ushtrojnë terror psikologjik ndaj administratës dhe qytetarëve për të votuar për PS në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e krahasoi këtë skandalin me atë të patronazhistëve në vitin 2021, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare.
Sipas denoncimeve në media, “Aktiv1st” është një platformë online ku vëzhgohet aktiviteti në rrjetet sociale i punonjësve të administratës dhe premtohen shpërblime edhe me para nëse ata shpërndajnë ose pëlqejnë njoftimet e PS në masë të madhe (në varësi të pikëve), në rast të kundërt paralajmërohen me presione dhe sanksione të ashpra.
Shpërthen Rama: Do ndiqen penalisht ata që publikuan të dhënat e ‘Aktiv1st’
Si gjithmonë, përballë çdo skandali, kryeministri Edi Rama e konsideroi ngjarjen e fundit si baltosje e sulm propagandistik ndaj tij dhe forcës politike që drejton.
Ai e konsideroi aplikacionin “Aktiv1st” si një mekanizëm komunikimi të brendshëm të anëtarëve të PS, dhe publikimin e këtyre të dhënave e konsideroi si shkelje ligjore. Rama kërcënoi publikisht se çdo person që ka nxjerrë në dritë këto informacione dhe që i ka manipuluar e fabrikuar, do të ndiqet penalisht. Lidhur me zgjedhjet e 14 majit, Rama u shpreh optimist për një tjetër korrje suksesi elektoral nga PS.
“PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.
Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve, PS do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, komentoi Rama në profilin e tij në Facebook.
“Foltorja”: ‘Aktiv1st’ e përdorin dhe Alfred Balla, Ina Rama dhe Irena Gjoka
Grupi i Rithemelimit i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi skandaloze, shkelje të të drejtave të njeriut, lirisë së zgjedhjes, etj, përdorimi e aplikacionit “Aktiv1st”.
Nëpërmjet zëdhënëses Floriana Garo, “Foltorja” denoncon se ky aplikacion përdoret dhe nga funksionarë të lartë të sistemit të drejtësisë, duke përmendur emrat e Alfred Ballës, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë; Ina Ramës, anëtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe ish-Prokurore e Përgjithshme dhe Irena Gjokës, gjyqtarë në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në bazë të këtyre denoncimeve, “Foltorja” e konsideron Reformën në Drejtësi si projekt për të favorizuar partinë në pushtet, PS. “PD është kundër çdo detyrimi dhe përdorimi të administratës publike për punë partie.
Sidomos kur këto punë kanë të bëjnë jo me shtetin por me pushtetin, dhe me kultin e individit të kryeministrit dhe ministrave.
Megjithatë, e reja dhe as shkelja në këtë aplikacion të kontrollit, censurës dhe abuzimit nuk janë punonjësit e administratës, por prokurorët dhe gjyqtarët e asaj që publikut i thuhet se është drejtësia e re.
Qindra prej tyre gjenden në listën e abonentëve të këtij aplikacioni. Gjeni aty emra të njohur, që nga Ina Rama, ish-prokurorja dhe deri te Alfred Balla, i Këshillit të lartë të Prokurorisë, apo Irena Gjoka e Gjykatës së Posaçme. Gjykatësit dhe prokurorët nga rrethet janë të pafund.
Kjo dëshmon edhe njëherë atë që është thënë nga kjo foltore qindra herë: Reforma është bërë për partinë dhe jo Shqipërinë”, deklaroi Garo për mediat.
Skandali “Aktiv1st”, Meta: Janë implikuar zyrtarë të shtetit, duhet hetim
Ish-presidenti i Shqipërisë, aktualisht bashkëlider i opozitës me Sali Berishën, Ilir Meta e quajti intimidim të qytetarëve dhe administratës publike përdorimin e aplikacionit “Aktiv1st” me qëllim sigurimin e fitores së zgjedhjeve të 14 majit nga PS.
Në një konferencë për mediat, Meta tha se ajo çfarë e rëndon më shumë këtë skandal është fakti se janë implikuar zyrtarë të lartë të institucioneve të drejtësisë, Policisë së Shtetit, etj. Ai bëri thirrje që ky skandal të hetohet nga drejtësia.
“Skandali bëhet edhe më i madh kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj.
Keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të ‘Rilindjes’ dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm”, tha Meta.