Operacioni i kërkim-shpëtimit nga Shqipëria ka vazhduar pa ndërprerje gjatë gjithë natës në Turqi në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili publikoi edhe video në rrjetet sociale nga puna që po kryen ekipi ynë në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi.
“Edhe pse në kushte shumë të vështira atmosferike, ekipi ynë është i vendosur për t’iu gjendur pranë njerëzve të goditur nga fatkeqësia”, shkruan Peleshi.
Ministri shprehet krenar për punën e ushtarakëve tanë, që në këto momente kaq tragjike për Turqinë mike, gjenden në frontin e parë të ndihmës dhe shpëtimit.