Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë këtë të premte projektin e ri për transformimin e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas kreut të qeverisë, modernizimi i ISHP do të garantojë një standard të ri shërbimi.

“Dhe me projektin e ri për transformimin e Institutit të Shëndetit Publik, me njësinë e re të laboratorëve dhe korpusin modern, që do të garantojë një standard krejt të ri shërbimi në një prej institucioneve më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.

Në masterplanin për modernizimin e ISHP-së parashikohet të ngrihet një njësi e re e laboratorëve me infrastrukturë dhe pajisje bashkëkohore.

Po ashtu do të vendoset korpusi i laboratorëve me sistem të integruar të marrjes dhe testimit të mostrave, laboratori kombëtar i referencës me sipërfaqe 2900 metra katrorë dhe do të rikonstruktohet plotësisht godina qendrore.