Pak minuta para nisjes së protestës situata në kryeqytet ka nisur të gjallërohet dhe qytetarët po mblidhen.
Nën moton “Shqipërisë do i dalim zot”, qytetarët e thirrur nga opozita për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së PS do të mblidhen në pika të shumta të kryeqytetit për t’u grumbulluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kjo është protesta e katërt e opozitës që kur Sali Berisha është kthyer në krye të PD-së, ajo e 7 korrikut, më pas ajo e 12 nëntorit, 6 dhjetori dhe e 11 shkurtit.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, kreu i PD-së Sali Berisha do të ndiqet me kamerë vetëm nga regjia e Partisë Demokratike.

Me sa duket për shmangur një incident të ngjashëm me atë të 6 dhjetorit.

Para Kryeministrisë është vendosur podiumi ku përfaqësuesit e opozitës do të mbajnë fjalimet e tyre. Dyert e kryeministrit janë të blinduara me veshje metalike, në pritje të protestuesve që janë nisur nga të gjitha rrethet.

Policia ka marrë një sërë masash që prej ditës së djeshme për mbarëvajtjen e saj. Situata aktualisht është e qetë.

Opozita proteston sot për një sërë çështjesh, por kryesorja është ajo e lidhjes së ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal i vënë nën akuzë nga autoritetet amerikane dhe lidhja e tij me kryeministrin Edi Rama, për të cilën PD dhe Partia e Lirisë deklaron se është përdorur për të asgjësuar pluralizmin dhe për të goditur opozitën në Shqipëri.