Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur për mediat pas votimit në zgjedhjet brenda partisë që do përcaktojnë strukturat drejtuese të kësaj force politike.
Në një prononcim për mediat, ndërsa u pyet nga gazetarët lidhur me mbajtjen e maskës, Kryemadhi tha:
“Partia ma mbledh nuk ma mbledh njeri tjetër. Sërish vazhdoj të mendoj se maska është një element që njerëzit duhet ta mbajnë se besojnë jo se i kërcënojnë. Shqiptarët nuk i mund as koronavirusi, as diktatura. Shqiptarët brenda vetes së tyre kanë dashurinë, solidaritetin, dhe mbi të gjitha lidhjen dhe forcën me njëri-tjetrin”.
Kryemadhi e vlerësoi si të jashtëzakonshme pjesëmarrjen në ato që i cilësoi si votimet e para elektronike të një partie në Shqipëri, duke shtuar se LSI është e para parti që ka futur votimin një anëtar një votë, kuotat gjinore 50% dhe përfshirjen e të rinjve në strukturat drejtuese.
“Sot unë dhashë si të gjithë anëtarët e tjerë të LSI. Ndjej kënaqësi që në listën për delegate shikoj shumë gra dhe të rinj që i janë bashkuar LSI gjatë kohës së opozitës. Unë sot kandidoj për t’u riemëruar, por po pres me padurim zgjedhjen e strukturave drejtuesve që do dalin nga ky proces, që do drejtojnë LSI-në në misionin kombëtar për t’u dhënë shqiptarëve punësim, arsimin e merituar, dhe standard jetese.
Doja të kisha një përgëzim për votimin online, që ka qenë i jashtëzakonshëm, edhe për shumë të rinj dhe të reja që janë në emigracion dhe do të kthehen. Jam i lumtur për ata të rinj që kanë pushtuar zyrat e LSI me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe. Ekipi i LSI me studentët e LRI i kanë dhënë mesazh politikës shqiptare. Për të realizuar zgjedhje të lira do të thotë të duash vendin tënd. Rinia shqiptare jo vetëm është energjia, është zemra e popullit shqiptar.
Jemi forca e parë politike që kemi krijuar votimin elektronik “një anëtar një votë” që në 2004-n, jemi të parët që kemi krijuar kuotat gjinore 50 %, dhe përfshirjen në 30% të LRI në strukturat drejtuese. Në kuadrin e pandemisë ne e kishim të domosdoshëm. Kjo gjë na dha mundësinë për t’u ristrikturuar. Ky proces tregoi që njerëzit janë të etur për të pasur një përfshirje, për të qenë vendimmarrës, dhe jo për të lënë fatin e tyre në dorën e një kupole njerëzve. Ne jemi gjithmonë zgjidhja e problemit”.





