Të gjithë protestuesit e shoqëruar do të lirohen. Kjo ishte deklarata që dha deputeti Oerd Bylykbashi pas daljes nga komisariati numër 1 ku bashkë me deputeten Albana Vokshi dhe përfaqësuesin ligjor të PD-së u interesuan për personat e ndaluar.
Bylykbashi theksoi se ndalimet janë të paligjshme pasi protesta ishte paqësore.
Bylykbashi: Erdhëm në vijim të njoftimit që kemi për shoqërimet që janë bërë nga policia. Jeni dëshmitarë të një proteste madhështore të opozitës që dha mesazhe të jashtëzakonshme,një protestë paqësore por e qartë se nga sot e tutje fillon revolucioni demokratik që do të çojë në rrëzimin e Edi Ramës. Në këtë lëvizje të jashtëzakonshme politike është e drejta e çdo qytetari të marrë pjesë, të protestojë dhe të protestojë fort sepse nuk bëhet fjalë për thjesht para që mund të ketë futur në xhep x apo y ministër, por është përpjekja për të zhbërë pluralizimin politik.
Edi Rama këtë e ka nisur herët, McGonigal është përpjekja sistemike dhe sistematike e Edi Ramës për të vrarë opozitën shqiptare që të qeverisë dhe të vjedhë pas asnjë ndalim, gjykatën e ka futur në xhep, shtetin e ka në kontroll. Protesta e sotme është mesazh fillimi, të tjerat do të vazhdojnë. Ditën e hënë do të jemi atje, askush nuk mund të ndalojë protestuesit shqiptarë të kërkojnë të drejtën e tyre më themelore që me votë të rrëzojë një qeveri e cila i vjedh.
Sot protestuesit kanë dhënë një shembull të jashtëzakonshëm, Edi Rama nuk mund të përdorë forcën, represionin policor apo drejtësinë e kontrolluar prej tij që të trembë shqiptarët. Ky është mesazh i qartë dhe të gjithë ata qytetarë që mund të shoqërohen do të lirohen se do të jenë ndalime të paligjshme, siç janë provuar dhe në gjykatë rregullisht. Asgjë e paligjshme nuk ka ndodhur, ka qenë një protestë për të drejtën e tyre themelore kushtetuese, të drejtën e votës që të rrëzojnë një qeveri të korruptuar.
Ditën e hënë ne do të jemi atje për të protestuar. Veprimet tona do të shkojnë vetëm në rritje.