Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbledhur krerët e degëve në një takim në selinë blu një ditë pas protestës së opozitës.

Ai e cilësoi protestën madhështore dhe tha se ka “pushtuar” mediat botërore.

Berisha tha se protesta e djeshme ishte sipari i një revolucioni demokratik dhe paqësor.

“Hapja dje e revolucionit tonë me një protestë madhështore ka pushtuar mediat e botës. Protestën tonë e përcollën gjerësisht të gjitha agjencitë e mëdha të botës.

Ne treguam se ka një popull që nuk pajtohet me aktet kriminale të Edi Ramës. Ai rekruton kryezbuluesin e SHBA-ve për të luftuar opozitën.

Protesta ishte sipari i një revolucioni paqësor e demokratik. Ata të cilët para protestës u zhdukën si minjtë nga frika e tmerri, kur e panë se u larguam të qetë dhe panë njëri-tjetrin se nuk u ndodhi gjë dolën nga ishin futur dhe filluan të thonë ku është revolucioni. Ja ku është qeveria”, tha ai.