Nënkryetari i Partisë së Lirisë Petrit Vasili, deklaron se parlamenti është kthyer në pazarin e gjësë së gjallë, ku qeveria nuk denjon as të mbrojnë në komisionet parlamentare projektligjet që ajo vetë harton.
Përmes rrjeteve sociale, Vasili denoncon Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, që sipas tij është shndërruar në turp.
“Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë, për turp.
Qeveria s’vjen të mbroje as projektligjet e veta dhe as ministri, as zëvendësministri i Mbrojtjes nuk duket gjëkundi.
Nënkryetarja Klodiana Spahiu dhunon Rregulloren e Kuvendit dhe merr vendim personal që lloj-lloj individësh të vijnë e të mbrojnë ligjet e qeverisë.
Neni 38, pika 3 e Rregullores së Kuvendit, është asgjesues dhe detyron Ministrin, apo Zvministrin të vijë në Komision.
Ja çfarë thotë Rregullorja:
“Diskutimi në parim bëhet gjithmonë në prani të përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave”.
Por për rilindasit në Komision të Shëndetësisë, Komisioni Parlamentar është si mbledhjet e Kooperativave në kohët e Partisë Punës.
E kanë katandisur Parlamentin si pazari i gjësë së gjallë dhe Kryetarja Lindita Nikolla rri e vështron.
Dhe kanë fytyrë e flasin për Rregullore këta dhe denojnë deputetetët e opozitës në emër të Rregullores”, theksoi nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili.