Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, pak para nisjes së protestës, bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen , duke shtuar se të drejtat e tyre janë dhunuar.
Gjithashtu në fjalën e tij, Berisha ka deklaruar se deputetët e opozitës në Parlament janë trajtuar në mënyrën më anti-kushtetuese dhe se të drejtat e tyre nuk janë zbatuar.
Ndër të tjera kreu i PD-së, theksoi se jashtë Kuvendit do të zhvillohet protesta ditën e sotme, ndërsa shtoi se edhe në Parlament nuk do të mungojnë protestat për aq kohë sa e drejta e deputetëve nuk respektohet.
“Nuk ka diskutim që parlamenti është një epiqendër e rëndësishme. Nëse Kushtetuta dhunohet në parlament, nëse rregullorja e parlamentit dhunohet, këtu ligjet kanë marrë fund dhe mbetet gjithçka në vullnetin e një njeriu. Ligjet dhe Kushtetuta janë sot si letër e vdekur më së shumti në këtë vend. Ju e morët vesh se si gjykata Kushtetuese në mënyrën më të habitshme kapitulloi para Erion Velisë dhe Edi Ramës. Ky shtet në bordero. Ka President Republike, polici shteti, ka Prokurori të cilat në rastet më të parë, janë të detyruar të qëndrojnë më të gjithë forcën e ligjit në mbrojtje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Këtu këto vendime janë letër e vdekur sepse këtu dominon vullneti I Edi Ramës, Erion Velisë dhe banditëve. Të drejtat e qytetarëve janë në gjendje katastrofale. Ne duhet të bëjmë një betejë të fortë në parlament, Në parlament nuk mund të ecët siç është ecur. Ligjet tona nuk lexohen. Shqyrtimi është detyrim Kushtetues, detyrim I yni para atyre që na kanë besuar dhe presin të jemi zëri I tyre në parlament. Kryetarja e parlamentit vendos në kundërshtim me ligjin. Sot është thirrur protestë, jashtë parlamentit. Protesta do të jetë zëri ynë. Do të jetë brenda parlamentit , jashtë parlamentit. Nuk kemi asnjë qëllim veçse një kushtrim se në këtë parlament sot nuk respektohet asnjë drejtë e opozitës.”, tha ai.