Një ditë pas protestës së ditës së djeshme të thirrur nga opozita para parlamentit, kreu i PD, Sali Berisha, ka mbledhur Kryesinë e Partisë Demokratike.
Berisha, gjatë fjalës së tij, u ndal te çështja e McGonigal, ndërsa vijoi akuzat ndaj Ramës për të cilin tha se është porositësi i vrasjes së opozitës shqiptare.
“McGonigal, që vazhdon të jetë kryefjalë e medieve botërore, është në burg, kurse porositësi i vrasjes me pagesë të opozitës shqiptare, është në pushtet.
Cilido që mendon se ky porositës i krimit më të shëmtuar ndaj demokracisë dhe pluralizmit, asgjësimit të pluralizmit de facto, largohet me votën e lirë, gabon. Është iluziv, gënjen veten. Kjo është e vërteta.
Ky porositës i vrasjes së opozitës largohet vetëm me revolucion.
Sepse, Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka degraduar në shkallën më ekstreme. Në Europë është narkoshteti i parë dhe i vetëm. Do të thotë se vendos mafia e drogës.
Shqipëria është vendi i qytetarëve, që vidhen në mënyrën më monstruoze. 4.5 milionë euro po ndërtohet autostrada Kakavijë-Janinë, 22 milionë euro po ndërtohet autostrada Limuth-Rrogozhinë. A munden shqiptarët të pranojnë një gjë të tillë?
Marrim vetëm këto krahasime.
Kurse rrugët anësore të autostradës Lekaj-Tepelenë shkojnë 7.1 milionë dollarë për kilometër. 320 milionë së bashku”-tha Berisha.