Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me protestën e opozitës të zhvilluar ditën e djeshme pranë ambienteve të Parlamentit.

Vokshi tregoi se gjatë protestës mbështetësit e Partisë Demokratike janë goditur e shtyrë nga policia që ishte prezente aty, ndërsa shtoi se po ashtu u është hedhur spraj, gjë që sipas saj i ka zemëruar shumë protestuesit. Sakaq, Vokshi gjithashtu tregoi se për shkak të këtyre përplasjeve ajo vetë i kishte këmbët “të nxira”.

Sipas saj protestuesit kërkonin që me çdo kusht të thyenin kordonin policor dhe të hynin në Parlament dje, por shtoi se ajo së bashku me disa deputetë demokratë janë përpjekur të qetësojnë turmën e acaruar.

“Ne përfaqësojmë jo 750 mijë votat e opozitës, ne përfaqësojmë gjithë qytetarët që Rama i ka braktisur. Skema me McGonigal tregon si ka vepruar Rama për të ndenjur në pushtet. Duke shkelur kushtetutën dhe rregulloren përditë. Për fatin tonë të keq legjislativi është kthyer në vegël të Ramës për të kaluar ligjet që i interesojnë Ramës dhe miqve të tij. Ky është një akt i rëndë të heqësh fjalën e përfaqësuesve të popullit në parlament, ky është putinizëm. Çdo qytetar sot duhet të protestojë, jo për PD-në por për të drejtat e veta. Mua më mohohet e drejta e fjalës kur Lindita Nikolla më përjashton në shkelje të kushtetutës. Nikolla do mbajë përgjegjësi.

Ramës nuk i dolën kombëtarët dhe ka kaq vite që po ble dhe ndërkombëtarët për përfitimet e veta. Tani po mundohet të mbajë peng edhe logon e vulën e PD_së me një grup të vogël njerëzish. Pse kërkon që të mohojë të drejtën tonë për t’u regjistruar, sepse ka frikë. Edhe Enveri do ua kishte zili mënyrën se si këta mendojnë.

Sot kanë bërë një pretendim tjetër për përjashtimin e 4 deputetëve të tjerë. Dje kishte urdhëruar gardën që të mos na lejonin të hynim në parlament. Jemi bllokuar në një akt anti-kushtetues për të hyrë në parlament sepse Edi Rama ka frikë nga fjala e lirë. Mezi i kemi mbajtur protestuesit sepse ishin të zemëruar. Ishim duke i përmbajtur. Qytetarët kërkonin të hynin në parlament dhe të thyenin kordonin e policisë, ne nuk jemi për dhunë. Jemi shtypur, jemi shtyrë, na kanë goditur, na kanë hedhur spraj, unë i kam këmbët e nxira. Pas këtij provokimi të Ramës ne jemi përpjekur të mbanim turmën që kërkonte me çdo kusht të hynte në parlament. Nuk do ketë dhunë nga ne.

Berisha e ka çuar non-gratën në gjykatë ndërkombëtare, është provuar që ajo ka qenë e lobuar. Qytetarët janë të bindur që Rama është kryeministri më i korruptuar. Është çështje e pluralizmit në këtë rast, kauza është përtej demokracisë, është për rrëzimin e këtij regjimi. Prandaj Sali Berisha futi primaret siç e premtoi, pra vota përzgjidhte kandidatët tanë. Ka një vendim të marrë në 25 mars, aty është vula, statuti, logoja e PD-së që me urdhër të Edi Ramës nuk po zbatohet, nuk e cakton asgjë gjyqtar se kush është Partia Demokratike.

KQZ e ka krejt të thjeshtë. Kemi bashkangjitur vendimin e gjykatës, janë dokumente të mjaftueshme që të bëhet regjistrimi i PD-së për zgjedhjet. Berisha është shumë demokrat në mbledhje, thotë që të japim mendime në mbledhje dhe në fund votuam për protestën e radhës”, tha ajo.