Komisioni i Etikes ka marrë vendimin për përjashtimin nga Kuvendi me 10 ditë për kryetarin e PD-së, Sali Berishën, pasi bllokoi foltoren.

Gjithashtu 10 ditë është përjashtuar dhe deputeti Flamur Noka, i cili i binte bilbilit gjatë seancës.

Nga ana tjetër, për Edi Palokën dhe Belind Këllicin është vendosur që të përjashtohen me nga 5 ditë nga seancat plenare.

Kujtojmë se nesër ka seancë plenare, vazhdimi i asaj të së hënës, ndërsa në rend dite do të jetë dhe kërkesa e opozitës për të votuar shkarkimin  e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Gjithashtu, po nesër, në të njëjtën orë me Kuvendin, pra 10:00 e paradites, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka thirrur protestë.

Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse Rama do të jetë i pranishëm në seancë, të cilin opozita e kërkon me ngulm që të dalë dhe të japë llogari para shqiptarëve për skandalin McGonigal.

Kujtojmë se tre seancat e fundit, Rama nuk ka qenë në Kuvend, një herë me justifikimin e nuk ka qenë mirë me shëndet, ku dhe ia delegoi ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, kompetencat për interpelancën në lidhje me rastin McGonigal.

Ndërsa herën e fundit, të hënën e 11 shkurtit, Rama nuk mori pjesë pasi priti në Kryeministri, kreun e qeverisë së Bavarisë, Markus Soder.

Por a do të marrë pjesë në seancën e ditës së enjte? kjo mbetet për t’u parë, pasi ende nuk është zbardhur asgjë nga agjenda e kyeministrit.

Ndërkohë, duke marrë parasysh se ka Kuvend dhe protestë, pritet që sërish të ketë tensione.