Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, akademikun, shkencëtarin e pedagogjisë dhe psikologjisë, si dhe shkrimtarin e shquar të letërsisë për fëmijë, Bedri Dedja (pas vdekjes).
Kreu i Shtetit e dekoroi akademikun e nderuar, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve si anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe personalitet me emër i veprimtarisë universitare; përfaqësues i shënjuar i shkencës së pedagogjisë dhe psikologjisë; drejtues me cilësi të larta administrative.
Me mirënjohje për krijimet e tij letrare, ku u shqua si një nga figurat qendrore të historisë së letërsisë për fëmijë: shkrimtar dijetar dhe krijues me vepra që dolën jashtë kornizave të kohës duke ruajtur të paprekura vlerat e tyre artistike përgjatë rrjedhës së viteve”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve, akademikëve dhe studiuesve të pranishëm në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Presidentit, Meta u shpreh:
“Akademiku Bedri Dedja i takon atij brezi, që u shfaq dhe u konfirmua si elita e re intelektuale e vendit. Në përbërje të kësaj elite të re, të formuar në universitete jashtë vendit dhe të dedikuar ndaj qëllimesh të larta, Bedri Dedja zuri një vend nderi dhe priu si njeriu i suksesit.
Veprimtaria e tij shumëpalëshe, si përkthyes, autor tekstesh shkollore dhe universitare, studiues, shkrimtar, publicist, profesor, bashkohet në një pikë, edukimi i brezave të rinj, përmes letërsisë, folklorit letrar, psikologjisë dhe didaktikës.
E gjithë jeta e tij, iu kushtua fëmijëve. Letërsia që ai shkroi, romanet, dramat, tregimet, përrallat, skenarët e filmave, ishin të gjitha për ta, një ushqim shpirtëror dhe gjithashtu për edukimin e mbarë të brezave të rinj.
Bedri Dedja zë një vend të veçantë në letërsinë për fëmijë, së bashku me Gaqo Bushakën, Adelina Mamaqin, Odhise Grillon dhe shumë personalitete të tjera.
Duke vijuar traditat më të mira të shkrimtarëve romantikë, të Naim Frashërit, të Konstandin Kristoforidhit dhe Ndre Mjedës, Bedri Dedja dhe shkrimtarët e tjerë bënë historinë e letërsisë shqipe për fëmijë.
Te Bedri Dedja u bashkua mendja e dijetarit dhe talenti i krijuesit. Shumë rrallë ndodh një dukuri e tillë, ku shkrimtari dhe akademiku bëhen bashkë tek një personalitet i vetëm.
Bedri Dedja plotësoi përmes studimeve psikologjike dhe pedagogjike, përmes manualeve shkollore dhe publicistikës shkencore, atë çfarë nuk mund të arrihej me vepra letrare.
Personaliteti i tij i spikatur, kontributi dhe puna e tij e jashtëzakonshme bënë që, gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Dedja të vlerësohej, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.
Ai ka qenë fitues i shumë çmimeve letrare dhe titujve, anëtar i Akademisë së Shkencave, anëtar i kryesisë së Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë si dhe anëtar i redaksisë për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar.
Profesor Dedja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh”.





