Ditën e djeshme, një postim i Leonardo DiCaprio-s bëri xhiron e rrjetit, sepse aktori publikoi në llogarinë e tij në Instagram një foto nga lumi Vjosa, ku njerëzit kishin shkruar me shkronja të mëdha pranë tij “Vjosa, jo diga”.
Postimi i tij u nda në rrjete sociale nga shumë figura publike, përfshirë edhe Rita Orën.
Këngëtarja e ripostoi foton, duke treguar se pajtohet me atë që kishte shkruar DiCaprio.
“Ndërsa ne presim që Kryeministri Federal dhe qeveria e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa ligjorë për të mbrojtur lumenjtë e Zemrës Blu të vendit nga shkatërrimi i mëtejshëm nga hidrocentralet e vogla, ka lajme shumë premtuese që vijnë nga Shqipëria. Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, mund të shpëtohet nga zhvillimi i hidrocentraleve.
Më 25 shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se projekti i digës Kalivaç u refuzua dhe se zona do të bëhet një park kombëtar. Parku Kombëtar i Lumit Vjosa do të bëhej vendi më i madh i Evropës për ruajtjen e lumenjve që mbulon disa qindra kilometra lumenj dhe përrenj dhe mbron qindra apo edhe mijëra specie, si ngjala e Evropës në rrezik global dhe flutura e Vjosës, e zbuluar së fundmi.
Kjo do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë dhe pjesën tjetër të Evropës dhe parku mund të bëhet një model për Strategjinë e Biodiversitetit brenda kornizës së Marrëveshjes së Gjelbër. Në pritje të më shumë lajmeve të mira në lidhje me veprimet konkrete për mbrojtjen e përhershme dhe të plotë të lumenjve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe pjesën tjetër të rajonit të Zemrës Blu të Ballkanit,”– kishte shkruar aktori dje.
Në tetor të vitit që lamë pas, DiCaprio befasoi ndjekësit e tij me një postim, ku tregonte se i ishte bashkuar fushatës për mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Ai doli kategorikisht kundër ndërtimit dhe prekjes së lumit në atë kohë.





