Ylli i “MasterChef Junior”, Ben Watkins, ka  ndërruar jetë në moshën 14 vjeç nga një formë e rrallë e kancerit.

Pjesëmarrja në MasterChef Junior e kishte ndihmuar 14-vjeçarin të kapërcente tragjedinë familjare që po përjetonte pasi babai i qëlloi dhe i vrau nënën dhe më pas bëri vetëvrasje.

Gjyshja dhe xhaxhai i Ben Watkins u bënë kujdestarët e tij ligjorë. Kur ai ishte vetëm 11 vjeç, u bë pjesë e Fox MasterChef Junior, dhe për disa muaj u bë ylli i programit shumë të ndjekur në SHBA.

Në vitin 2019, fatkeqësisht, ai u diagnostikua me një tumor në indet e buta, lloj shumë i rrallë. Të hënën, “shefi i vogël” ndërroi jetë, me një ëndërr në sirtar: të hapte një furrë buke dhe një restorant të tij, shkruan “BBC”.

“Ai kurrë nuk është ankuar. Ben ishte dhe do të jetë gjithmonë personi më i fortë që njohim. Superheroi ynë”, tregoi xhaxhai i tij.

Përkundër tragjedisë dramatike të familjes së tij, ai kishte arritur të qëndronte optimist dhe aktiv. Beteja e tij më sëmundjen, zgjati një vit e gjysmë.

I gjithë vendi u sensibilizua pas lajmit të dhimbshëm dhe u arrit që të grumbulloheshin mbi 30 mijë dollarë, si fond besimi për të.