Kryeministri Edi Rama u nderua me “Urdhrin e Minervës” për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së Covid-19, nga një prej universiteteve më prestigjoze Gabriele d’Annunzio, në Pescara të Italisë, pas miratimit unanim të senatit akademik të këtij ateneu.
Urdhri Akademik i Minervës është krijuar nga Universiteti “Gabriele d’Annunzio” në vitin 1986 me propozimin e rektorit të asaj kohe, profesor Uberto Crescenti, me qëllim që t’i atribuohej njohja akademike studiuesve dhe personaliteteve nga bota e kulturës, ekonomisë dhe shkencave.
Dekorimi i urdhrit përbëhet nga një medalje ari dhe nderimet bëhen nga rektori gjatë një ceremonie akademike.
Këtë vit, gjatë inaugurimit të vitit akademik, rektori Sergio Caputi propozon Kryeministrin e Shqipërisë Z. Edi Rama për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së Covid-19. Çmimi i është dhënë autoriteteve më të njohura në nivel botëror si Papa Ratzinger, Piero Angela, Sergio Marchione, Bruno Vespa, etj.
Ky titull nderi iu dorëzua Kryeministrit Rama në një ceremoni të organizuar, në mjediset e këtij Universiteti nga rektori Sergio Caputi, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për solidaritetin konkret të treguar ndaj Italisë, në atë periudhë tejet të vështirë të pandemisë së Covid 19.