Gjatë vizitës së tij në Durrës, kryeministri Edi Rama u ndal në zonën e ish-Kënetës për të inspektuar punimet për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas Ramës, banorët e kësaj zone do të kenë banesa më të forta dhe të bukura se ajo që humbën më 26 nëntor 2019.
“Durrës – Rindërtimi i shtëpive në zonën e ish-Kënetës vazhdon dhe nuk do të ndalet, deri kur familja e fundit të jetë kthyer në një shtëpi të re, më të fortë e më të bukur se ajo që humbi në 26 nëntorin e shkuar”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.
Gjatë inspektimit, kryetari i kësaj njësie administrative, Serjan Mazrreku i tha kreut të qeverisë se ka mbajtur premtimet ndërsa e ka falenderuar atë në emër të të gjithë banorëve të Durrësit të Ri.
“Në 2013, ku jeni ju këtu, ka qenë gërmadhë, pa infrastrukturë, pa njësi administrative. Sot falë jush, kemi një zyrë që jep shërbime si asnjëherë më përpara, falë jush kemi një Durrës të Ri. Në emër të gjithë banorëve të falenderoj përzemërsisht. Barometri për fitoren e Partisë Socialiste do nisi nga Durrësi i Ri.”, i tha Mazrreku.
Por fundi i deklaratës së kreut të njësisë duket se nuk i pëlqeu shumë kreut të qeverisë, pasi sipas tij rindërtimi nuk ka parti.
“Leje tani partinë, se nuk kemi ardhur për partinë këtu. Mbaje në zemër partinë dhe në gojë kur të jetë dita e partisë. Rindërtimi nuk ka parti i dashur, rindërtimi është i të gjithëve; demokrat e socialist, me llafe pa llafe”, iu përgjigj Rama.





