Një ditë pas vendimit të gjykatës së Apelit, Sali Berisha ka mbledhur sot Kryesinë e tij, për të vijuar me skenarët që do të ndjekë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit.
Duke qenë se Apeli vendosi që t’ia lërë vulën në dorë Enkelejd Alibeajt, kryesia e Berishës do të diskutojë mbi opsionet se si do të regjistrohet në këto zgjedhje. Ndërkohë që afati i fundit për t’u regjistruar në KQZ është 6 marsi. Kujtojmë se ditën e djeshme, Gjykata e Apelit zhbëri vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri, duke kthyer çështjen e vulës së PD për rigjykim në Shkallën e Parë.
Vendimi i Zhukrit njihte si legjitim Kuvendin e Sali Berishës, atë të 11 dhjetorit 2021. Duke marrë shkas nga këto zhvillime të fundit, kandidatët e Berishës, të dalë nga Primaret, nuk do të mund të hyjnë në zgjedhje, nën siglën e PD-së. Ndërkohë, nesër Berisha do të mbledhë Këshillin e tij Kombëtar, ku padyshim që kryefjalë e diskutimit është kjo çështje.