Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në Kavajë, aty ku në zgjedhjet lokale të 14 majit kandidon Redi Krajli.
Duke theksuar se PS është e vetmja forcë që di të vetëkorrigjohet dhe që e mban derën hapur për këdo që dëshiron t’i bashkohet në misionin e saj për transformimin e Shqipërisë, Veliaj ironizoi edhe opozitën për situatën ku e ka futur veten.
“Kur dëgjoj lloj-lloj justifikimi, pse kundërshtarët tanë janë në atë derexhe ku janë, është tipike e njeriut që gabon dhe e trash zullumin e vet. Thotë: ‘jo po ma bëri Erion Veliaj me ambasadën’, ‘jo po Sorosi me Zelenskin’, ‘jo po dreqi me të birin’ – këto janë marrëzitë e një njeriu që nuk e kupton se arsyeja pse shkon nga humbja në humbje është se nuk arrin të gjejë gabimet tek vetja”, tha Veliaj.
Ai tha se Partia Socialiste ka një filozofi krejt tjetër, që e bën fituese.
“Arsyeja pse ne, si Parti Socialiste, shkojmë nga një betejë e fituar në një betejë tjetër të fituar, është se kemi arritur të kuptojmë se mund të vetëkorrigjohemi.
Asnjë nuk është perfekt, të gjithë bëjmë gabime: ndoshta dikujt duhet t’i flasim me përulësi, t’ia shpjegojmë diçka jo njëherë, po tre herë, dikë tjetër duhet ta pranojmë ashtu siç është, me gjithë paragjykimin që mund të ketë pasur për forcën tonë, por që gjithmonë ka shansin të bashkohet me ne, të jetë pjesë e një skuadre që e mban derën hapur”, u shpreh Veliaj.