Këtë të hënë, Partia Demokratike ka paraqitur kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majt. Kërkesa është dorëzuar nga Sekretari Ligjor i PD, Indrit Sefa.
Në dosjen e dorëzuar nga Grupi i Alibeaj, pjesë është edhe një letër e Lulzim Bashës që në cilësinë e kryetarit të PD-së autorizon nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e përgjithshëm, Gazmend Bardhi të përfaqësojnë këtë forcë politike.
Edhe pse ka dhënë dorëheqjen publikisht një vit më parë si kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha rezulton të jetë ende ligjërisht në drejtim të kësaj force politike.
“Unë Lulzim Basha, me funksion kryetar i Partisë Demokratike, lidhur me zgjedhjet vendore të 2023, sipas datës së caktuar nga Dekreti i Presidentit të Republikës, në përmbushje të kompetencave të kryetarit të Partisë, autorizoj ushtrimin e tyre nga nënkryetari i Partisë Enkelejd Alibeaj dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi dhe/ose Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhore Indrit Sefa…”, thuhet në letrën që është dërguar në KQZ.