Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e ka cilësuar një shenjë të besimit bashkëpunimin e DEA-s amerikane me autoritetet shqiptare.
Ai tha se agjentët do të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së njoftoi se DEA ka hapur një linjë të re të sinjalizimit për Shqipërinë, ku ka vënë në dispozicion një numër telefoni për të kontaktuar në whatsaap dhe një adresë e-maili për këdo që ka informacion në lidhje me rritjen, prodhimin, shpërndarjen e drogërave, krimin e organizuar apo pastrimin e parave të lidhura me drogën.
“Unë e konsideroj si shenjë e besimit të fortë të autoriteteve të DEA me institucionet shqiptare, bashkëpunimi është i forcuar, që kur u krijua SPAK por edhe më përpara, bashkëpunimi mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda me partnerët tanë amerikanë ka qenë korrekt. Ju ftoj ta merrni informacionine plotë dhe të shihni bashkëpunimin e SPAK me autoritetet e DEA-s, dua ta theksoj është shenjë e besimit të fortë ndërmjet autoriteteve tona ligjzbatuese dhe atyre të DEA-s, për ju lajm i gëzuar duhet të jetë ky që ka një vullnet serioz të agjencive të huaja dhe qeverisë shqiptare për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh Manja.