Ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa prezantoi kandidatin për Bashkinë e Lezhës, Pashk Gjoni, u ndal tek situata ekonomike në Shqipëri.

Berisha tha se qeveria Rama pavarësisht se e rriti borxhin publik me 43% nuk arriti të rrisë rrogat dhe pensionet, ndërsa PD në pushtet i dyfishoi ato.

Ne jemi të vendosur me 14 maj të firmosim ndryshimin, firmosim ndryshimin shpëtimtar për Shqipërinë. Nuk ka forcë në botë që na pengon ne të marrim pjesë në zgjedhje dhe ti fitojmë ato. Miqtë e mi. Shqipëria, Zoti dhe natyra i kanë dhënë asaj pasuritë më përrallore se çdo vend në rajon, njerëzit punëtorë dhe atdhedashës. Por ky regjim sillet si një pushtues i egër ndaj qytetarëve shqiptarë. Sot në shumicën e familjes së shqiptarëve troket varfëria, në një pjesë tjetër, mjerimi. Të gjitha këto janë të qëllimshme. Uluni me çdo lezhjan, mik, mikeshë, debatoni dhe shpjegojani, kjo është politikë e qëllimshme. 

Në 8 vite në pushtet, PD-ja duke rritur borxhin nga 58 në 62.6 %, pra 4.6% borxh arriti të dyfishojë rrogat e qytetarëve. Por ai ishte qëllimi më madhor i saj, sepse nëqoftëse qytetarët jetojnë më mirë, vendi bëhet më i dashur, më i mirë, më i besueshëm për ata dhe fëmijët e tyre. Dhe ata  e meritojnë plotësisht.

Me ato të ardhura dhe atë borxh, ndërtuam dhe asfaltuam 11 mijë km rrugë, shkurtuam distancat. Gjirokastrën në dy orë, Kukësin, në 1 orë e 30 min, Elbasanin në 15 minuta. Ne pra po transformonim vendin. Në 8 vite vetëm me rritjen e borxhit 4% ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla e kopshte, qindra qendra shëndetësore dhe spitale.

Çfarë ndodhi në 10 vitet që erdhën pas. Borxhi është rritur jo 4.6 %, por nga 62.6 në 107 %, është rritur 43%. Po rrogat sa u rritën? Çdo shqiptar, pensionist merr sot për shkak të rritjes së çmimeve nga 2014 e deri më sot, merr së paku 30% më pak, se sa blinte me rrogën e tij në vitin 2013. Ai ishte kjo pamundësi, absolutisht jo. Ishte qëllim, qëllim, dhe vetëm qëllim.

Qëllimi i atij që vjedh ditën e natën qytetarët shqiptarë. E meqë i vjedh ditën e natën, në panverë, verë, dimër në çdo stinë e në çdo kohë, ai i urren viktimat e tij. Ai për të justifikuar kalbësinë e tij morale, i urren ata që vjedh. Ndaj nuk rrit rroga, pensionet“, tha Berisha.