Ish-kryeministri Sali Berisha në një konferencë për mediat deklaroi se qytetarët duhet t’i drejtohen DEA-s amerikane nëse kanë denoncime për trafik droge apo korrupsion.
Berisha tha se “SHISH me Kanushin e Ramës, ka marrë një goditje shumë të rëndë në këtë aspekt.”.
“Përshëndes përzemërsisht instalimin e DEA në Shqipëri. U bëj thirrje qytetarëve të dërgojnë çdo informacion që kanë në interesin më të mirë për vendin. Siç përcjellin te qytetari dixhital, le të shumëfishojnë informacionin dhe të kontribuojnë në luftën që kjo njësi ka ardhur për t’i bërë drogës. Është sot më e domosdoshme sepse SHISH me Kanushin e Ramës, ka marrë një goditje shumë të rëndë në këtë aspekt. Siç e dini, ai ka shkatërruar strukturat 20-vjeçare të luftës kundër drogës dhe terrorizmit dhe ka kryer një akt të papërgjegjshëm.
Pasi unë e denoncoj këtu, ai gjen një gazetar dhe përpiqet përmes tij, të justifikojë vendimet që ka marrë.
Ia them këtu tani, se thoshte që njëri prej tyre kishte kushëririn trafikant. Edhe ai ka kushëririn e parë të gruas terrorist. Kjo nuk do të thotë që ai ka lidhje me të, sikundër ai drejtori që ka kryer atë detyrë prej 20 vitesh dhe ka kaluar disa shefa të shërbimit, nuk mund të largohet se pse një kushëri i tij, pa asnjë lidhje kryen veprimtari kriminale.
Ai largohet nëse ka injoruar veprimtarinë e kushëririt të tij për ndjekjen e problemit. Por ai këtë qëndrim ka mbajtur me grupin antidrogë të SHISH, me grupin antiterrorist dhe ai e ka çuar SHISH në një situatë jashtëzakonisht të rëndë. I bëj thirrje qytetarëve që të çojnë çdo informacion që kanë në interesin më të mirë për sigurinë e vendit. Nëse ja dërgojnë Ardi Veliut denoncimet, i bie tja dërgojnë Balilit. Qytetarët duhet t’ja’ dërgojnë DEA-s çdo informacion që marrin për çështjes të drogës.”, tha Berisha.