Kreu i PD-së, Sali Berisha, ishte në Pogradec këtë të diel ku prezantoi kandidatin e selisë blu për kryetar bashkie, Zini Tollozhina. Berisha u shpreh se PD-ja jo vetëm që do të marrë pjesë në zgjedhje, por do t’i fitojë ato dhe do të shkojë drejt “përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës”.
“Të dashur miq, ne vijmë sot në një moment të paprecedentë në 32 vite, sepse si kurrë më parë një përpjekje anti-kushtetuese, anti-demokratike bëhet për të përjashtuar forcën politike kryesore opozitare të vendit nga zgjedhjet. Bëhet për të mbështetur, për të konsoliduar monizmin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama. Në asnjë vend të botës së lirë akte të tilla nuk kanë ndodhur. Por ne jemi të sigurtë se jo vetëm do marrim pjesë me kandidatët tanë të lirisë, por do fitojmë zgjedhjet dhe do shkojmë drejt përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Berisha u shpreh se vota për PD më 14 Maj do të thotë ndryshim.
“A nuk është kjo një thirrje e ndërgjegjes njerëzore, kombëtare për çdo shqiptar që të ngrihemi, të mos lejojmë që vendi ynë të tretet para syve tanë. Të ngrihemi, të mos lejojmë që dhe për 8 apo 16 vite të tjera, këtu nuk dihet se kush do të jetë me këto ritme. Të ngrihemi, sepse kjo që po ndodh është absolutisht pasojë e politikave anti-shqiptare. Unë ju rikujtoj ju këtu, se në vitet 2007-2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Popullata u rrit. Dhe nga 2014 e deri më sot, shqiptarët tejkalojnë çdo komb tjetër për një hark të tillë kohor në braktisjen e vendit të tyre. A duhet ne të qëndrojmë duarkryq? A duhet ne ta përcjellim këtë me indiferencë? A duhet ne të shkojmë të udhëtojmë të përgjumur në fatin tonë? A duhet ne t’i nënshtrohemi këtij fati? Kurrën e kurrës! Secili nga ne nuk ka në Shqipëri 1/3 e familjes. Nuk ka në Shqipëri 1/3 e miqve, 1/3 e njerëzve të tij. Dhe ku kanë shkuar? Sigurisht, kanë shkuar në vende tjera që janë më të pasura. Po ju them një gjë. Si Pogradeci, si Shkodra, si Korça, si Vlora, si Shqipëria nuk ka vend më të pasur mbi tokë me rezervat natyrale. Asnjë vend nuk ka pasuritë përrallore të Shqipërisë, por kjo kërkon t’i përgjigjemi asaj thirrje të brendshme që na thotë të ndryshojmë gjendjen. Sot një kushtrim, një apel buron nga çdo zemër, mendje, ndërgjegje. Të ndryshojmë, në mënyrë që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre më të bukur në Shqipëri, në Pogradec, në Korçë dhe kudo”.
Kreu demokrat tha se qëllimi kryesor është shpëtimi i shoqërisë shqiptare.
“Ne kemi besim se kjo pritje, se ky përkushtim, se ky entuziazëm ka një qëllim kryesor, shpëtimin e shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë nga ky monizëm i egër që po shfaros kombin. Sot, çdo qytetar, fermer, intelektual që hedh sytë përreth tek fqinjët, vetja, lagjia, blloku, fshati konstaton me dhimbje se 1/3 jonë nuk është në Shqipëri. Se brenda 8 viteve nga ky vend u larguan në hapësirën e BE 937 mijë shqiptarë, kurse në të gjithë botën bëjnë më shumë se 1 milion. Në 8 vite ne humbëm 1/3 e kombit. E vërteta është, se nga kjo 1/3 rreth 80% janë nën moshën 30 vjeçare. Ne humbëm me shpejtësi dhe po humbasim rininë”.