Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar në mbrëmjen e së dielës lidhur me ngjarjen e rëndë te Don Bosko, ku një punonjëse e një lokali ka mbetur e vrarë dhe pesë persona, mes të cilëve një vajzë 10 vjeç, janë plagosur. 

Sipas tij, qeveria e Rilindjes po e fut vendin në kaos pasi ka dështuar të ndalojë kriminalitetin dhe të rrisë sigurinë. 

Statusi i Metës

Pa kaluar dy javë nga vrasja makabër e tre grave të pafajshme krimi godet sërish, kësaj radhe duke rrezikuar në mënyrë ekstreme jetën e njerëzve të pafajshëm në lagjen e Don Boskos.

Kriminelët lëvizin lirshëm në rrugët e Tiranës dhe rrezikojnë çdo ditë jetën e qytetarëve. 

Kjo situatë e rendit dhe sigurisë publike, që përkeqësohet çdo ditë dhe çdo orë tregon qartë se qeverisja e rilindjes ka dështuar totalisht dhe e ka futur vendin në kaos.

Qeveria nuk ka bërë asgjë për ndalimin e kriminalitetit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprave kriminale ndaj të cilave po ekspozohen të pambrojtur qytetarët shqiptarë.

Qytetet tona meritojne dhe kërkojne siguri, që qeveria e inkriminuar rilindase j’ua ka mohuar për shkak të kapjes së saj nga krimi.

Ndaj të ngrihemi të gjithë në këmbë për të realizuar Ndryshimin, që mbron qytetarët dhe familjet e tyre nga krimi.