Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste duket se do i qëndrojë larg një koalicioni me ish-kryeministrin Sali Berisha. I pyetur në lidhje me këtë mundësi, Duka tha se PAA do të hyjë në zgjedhjet lokale me siglën e saj.

Në “Euronews Albania”, Duka kometoi edhe deklaratën e Berishës se koalicioni që ai do të bëjë do të jetë “tmerri i Edi Ramës”.

Sipas Dukës nuk është kështu, pasi Rama me ndryshimet që ka bërë në 2020-ën, partitë në koalicione nuk mund të hyjnë së bashku me listat e tyre.

Me distancimin e PAA, më herët edhe PDIU-së si dhe me gjasë të LZHK-së, duket se Berishës i mbetet vetëm koalicioni me PBDNJ e Vangjel Dules, pasi Partia e Lirisë nuk mund të bëhet pjesë për shkak se ka listat e veta për këshilltarë bashkiakë.

Pyetje: A do të jeni pjesë e koalicionit me Berishën?

Duka: Unë dua ta nis nga ajo fjala e fundit që tha Berisha, që ky koalicion është tmerri i Edi Ramës. Faktikisht nuk është kështu se Rama e rregulloi këtë punë me ndryshimet që bëri në 2020-ën. Dikur mund të hyje në koalicion por me listat tuaja, ndërsa sot nuk hyn në koalicion me listat tuaja.

Unë e kam bërë të ditur edhe më parë, Partia Agrare Ambientaliste këtë radhë do të hyjë me siglën e vetë, pasi nga 2015-a e këtej ne nuk kemi hyrë asnjëherë me siglën tonë. Duhet të provojmë veten, por duke mbështet kandidatët e opozitës në ato vende që kemi peshë, dhe duke punu për këshilltarët bashkiakë, kontributi është po njëlloj.