Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, për t’i ndryshuar emrin partisë.
Përmes përfaqësuesit ligjor të LZHK, Fabjan Topallaj, në KQZ u kërkua që emri i partisë të ndryshohej në Lëvizja Progresiste për Zhvillim Kombëtar.
Në lidhje me këtë kërkesë, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, pasi ka shqyrtuar rastin në fjalë, është shprehur se partia do të regjistrohet në zgjedhje me të dhënat që janë në dokumentacionin e regjistrit të Gjykatës së Tiranës, pra sipas tij, ndryshimi i emrit nuk është i mundur.
“Emri i Partisë dhe të dhënat e tjera do të jenë ato sipas dokumentacionit të regjistrit të Gjykatës së Tiranës”, është shprehur Celibashi.
Kujtojmë se kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar është deputeti Dashamir Shehi dhe ky subjekt politik ka garuar krahë Partisë demokratike në zgjedhjet e mëparshme.