Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi dorëzon sot mandatin e ligjvënësit për shkak se do të kandidojë në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës.

Nga foltorja e Kuvendit ku mbajti fjalimin e fundit si deputet, Këlliçi ka shprehur kritika të shumta ndaj klasës politike nga të dyja kahet.

Ai u është drejtuar deputetëve duke u thënë se kanë shitur shpirtin vetëm për përfitime personale dhe nuk është bërë asgjë për qytetarët.

Këlliçi iu drejtua edhe kryeministrit Edi Rama për të cilin deklaroi se bëri gjithçka për të asgjësuar opozitën.

Këlliçi: Kur hyra për herë të parë në këtë sallë, në shtatorin e vitit 2021, pata një emocion të fortë. E kisha ngarkuar veten me pritshmëri të mëdha, pasi nuk besoj të ketë privilegj më të madh për një njeri politik, për një të ri, se sa të marrë besimin e njerëzve, t’i përfaqësojë ata dhe të betohet si deputet i Republikës. I thoja vetes se po futem në aulën ku janë bërë ndryshime të mëdha, e ku janë marrë vendime historike për vendin tim. Do kem dhe unë një karrike aty ku dikur është ulur Azem Hajdari, ku ka qenë Pjetër Arbnori, Gramoz Pashko, Sokol Olldashi, aty ku sot është Sali Berisha, apo ku ka qenë Rexhep Mejdani, e ku sot vijon të jetë Pandeli Majko, kryeministri i luftës së Kosovës. Me këtë trysni emocionale, me këto ide se po bëhem pjesë e një trupe të rëndësishme që udhëheq vendin, hyra në Kuvendin e Shqipërisë

Keni shitur shpirtin kolegë të mi, më vjen keq ta them. Nuk ka emërtim tjetër kur bën tradhtinë më të madhe kur u kthen kurrizin votuesve. Shumë rrallë, pashë këtu një debat, një ngritje të fuqishme zëri, një qëndrim pa kompromis për diçka që ka të bëjë me mirëqënien, me jetën e përditshme të njerëzve. Kacafytje për mirëqënien dhe interesat e rilindjes, të grupit kryesor të saj që qëndron këtu pas meje, sepse këtë më duhet ta them; lakmia e babëzia, errësimi i arsyes e logjikës së shëndoshë para pasurimit, nuk vlen njëlloj për të gjithë kolegët socialistë.

Jemi munduar të qëndrojmë të fortë për denoncimet tona. As ne nuk ia kemi dalë sa duhet. Edhe në mesin tonë, nxorri krye një përplasje e brendshme. Edhe pse kemi qëndruar mbi disa parime e vlera, nuk them dot se kemi mbrojtur dot interesin e mbështetësve tanë. Sot jap dorëheqjen si deputet, për të vijuar një projekt shumë të madh për mua.

Nuk mund ta fsheh se largohem sot i pezmatuar, duke menduar se kryeministri ka lëshuar fyerjety më të rënda ndaj opozitës. Kurrë nuk mbajti përgjegjësi për punët që kanë shkuar më keq në vendin tonë. Për rastet flagrante të korrupsionit dhe abuzimit me detyurën, përë cënimin e votës, për varfërimin e qytetarëve, për kapjen e drejtësisë dhe medias. Kurrë nuk mbajti përgjegjësi dhe nuk tha se është faji im. Por vetëm sulmoi dhe përdori mjete ekstraligjor për të sulmuar opozitën. Modeli politik që keni ofruar ju, ky kryeministër nuk do jetë modeli që unë do ndjek. Nuk ka dyshim se Tirana e ndjen nevojën për ndryshim, por këtë herë e keni të thjeshtë sepse ndryshimin e keni në dorën tuaj.

Unë jam për një model tjetër, për një marrëdhënie të ndershme me qytetarin, një kurs që përjashton gënjeshtrën dhe mashtrimin elektoral. Një model ku nuk bie më asnjë tullë e vetme në qytet, ku nuk vihet një tullë për interesat e kryetarit apo kryeministrit. Një qytet që do jetë më miqësor dhe më i jetueshëm. Edhe ju për veten tuaj, e kërkoni ndryshimin. Mos qëndroni prapa qytetarëve në zgjedhje. E keni 14 majin mundësinë e artë për të bërë ndryshimin.