Luis Hamilton është bërë tashmë një legjendë e Formula 1, duke fituar titullin e tij të 7 kampion. Piloti i Mercedes ka triumfuar në pistën e Stambollit në Turqi dhe ka siguruar matematikisht titullin që e barazon me atë që cilësohet më i miri i të gjitha kohëve, Mikael Shumaher.

Në një pistë ku ligjin e bënë reshjet e shiut, Hemilton zhvilloi një garë perfekte me vetëm një ndalesë në bokse, duke kaluar me strategjinë e tij atë të makinave Ferrari, shumë më agresive në këtë garë. Lens Stroll, surpriza e kualifikuesve, la shpejt vendet e para, duke rrëshqitur pak nga pak, ndërsa me radhë kjryesimin e morën Verstapen apo Perez, derisa Hemilton u ngjit në krye me xhiro të shpejta të njëpasnjëshme e duke shfrytëzuar një ndalesë të vetme për të vënë gomat e ndërmjetme dhe më pas duke i administruar ato në mënyrë perfekte derisa preu finishin i shkëputur nga ndjekësit.

“Kjo është për të gjithë ata fëmijë që besojnë te gjërat e pamundura. Mund të bëhen realitet”, ishin fjalët e Hemilton me zërin që i dridhej, para se të kthehej në bokse e të festonte me skuadrën e tij. Pas krahëve të britanikut, Serxhio Perez mori vendin e dytë në këtë garë.

Ndërsa më pas e kishin radhën dy makinat Ferrari me Fetel që doli i treti, ndërsa Leklerk i katërti. Piloti nga Monako gaboi në dy kthesat e fundit kur po parakalonte Perez, duke i dhënë mundësinë atij që të shkonte në vendin e dytë si dhe Fetel që e ndiqte që ta parakalonte gjithashtu dhe të siguronte kthimin në podium.