Kujt ia kishte marrë mendja se Papa i Vatikanit do të bëhej ndonjëherë viral në platforma si Reddit, Twitter dhe TikTok për stilin e të veshurit dhe për disa momente u surprizuam, derisa kuptuam se këto fotografi ku ai shfaqej i veshur me një xhup të bardhë oversized, në fakt ishin thjesht të modifikuara.
Të shumtë ishin ata që komentuan në Twitter duke thënë: “Papa është një ikonë mode” dhe “Cila mendoni se është marka që Papa preferon?”
Modelja me famë ndërkombëtare Chrissy Teigen, komentoi gjithashtu duke thënë: “Mendova se xhupi i Papës ishte i vërtetë! Nuk ka asnjë mënyrë që mund t’i mbijetoj të ardhmes së teknologjisë.”
Imazhi u krijua duke përdorur “Midjourney”, një mjet i inteligjencës artificiale që mund të gjenerojë imazhe të rreme jashtëzakonisht realiste për syrin e njeriut. Ai funksionon në këtë mënyrë: Përdoruesi shkruan çfarë imazhi dëshiron të shohë duke u treguar i detajuar dhe “Midjourney” e gjeneron. Këto imazhe më pas shpërndahen në rrjete të ndryshme sociale në mënyrë që të bëjnë bujë me klikime nga njerëz që mendojnë se janë të vërteta.
Interneti ishte mjaft konfuz edhe javën e kaluar pasi programi në fjalë u përdor për të krijuar edhe fotot tejet realiste të arrestimit të ish-presidentit Donald Trump ku ai shfaqet duke vrapuar për t’u shpëtuar policëve.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Adam Levin u shpreh se një nga mënyrat më të lehta për të përcaktuar nëse një imazh mund të jetë krijuar nga inteligjenca artificiale është të shikoni duart. “Midjourney” ka vështirësi në gjenerimin e tyre dhe këtë mund ta vëmë re edhe në këtë imazh e Papës.
Ai gjithashtu ndau me ndjekësit se përdorimi i inteligjencës artificiale në media sociale mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të rrezikshme, pasi njerëzit mund të përdorin fotografi të kujtdo për çfarëdolloj qëllimi. Një nga problemet që shihet më së shumti janë “deepfakes”, në të cilat fotografi të fytyrave të grave përdoren për video intime.