Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur sot dhe akuzave për pazare me Edi Ramën.

Kreu i komanduar i PD i cilësoi shpifje të pavaza dhe tha se nuk ka parë apo lexuar një fakt që të vërtetojë se ka bashkëpunuar me Edi Ramën apo dikë tjetër nga Rilindja.

“Kam zgjedhur që mos t’i përgjigjem shpifjeve të pabaza të atyre që në këto 30 vite janë puthur dhe pështyrë me çdo politikan të partisë së vet apo kundërshtar politik. Kam zgjedhur gjithashtu të jem etik dhe mos të përdor kurrë banalitete apo epitete të shëmtuara as për kundërshtarët politikë. Kjo është mënyra që kam zgjedhur sepse përveç akuzave të pabazë deri më sot, nuk kam parë apo lexuar një fakt që të vërtetojë se kam bashkëpunuar me Edi Ramën apo dikë tjetër nga Rilindja. Kam zgjedhur të jem transparent dhe i hapur në vend të makinacioneve të fshehta dhe pazareve që janë kaq të dukshme në arkivën e politikës shqiptare”, tha Alibeaj.

Ai sugjeroi që të ndiqet paraja, shpenzimet për të kuptuar se ku fshihet djalli.

“E keni parë gjatë gjithë kësaj periudhe se kush ka qenë agresiv në media apo rrjete sociale? Se kush ka financuar takime të përditshme, regji qendrore, media dhe analistë për të përbaltur ata që mendojnë ndryshe në një parti politike. Mendoni se do lejonte Edi Rama që paratë të derdheshin lumë nëse nuk do t’i interesonte e gjithë kjo tymnajë dhe sherr i panevojshëm mes demokratëve? Unë nuk mund të ngre gishtin dhe të akuzoj pa fakte konkrete nëse dikush nga foltorja është bashkëpunëtor i Edi Ramës. Por ndonjëherë ajo që thonë prokurorët “ndiq paranë” vlen dhe në politikë. Sidomos për politikën shqiptare. Ndiq paranë, shih kush shton të ardhurat dhe shpenzon pa i justifikuar piratë dhe të jeni të sigurt se rrugët të çojnë tek Edi Rama
Ju ftoj të shihni çdo shpenzim tonin gjatë vitit të fundit dhe do ta kuptoni se ku fshihet djalli. Dhe këtë herë jo në detaje të vogla, por në thesin e atyre që shpenzojnë dhe arkëtojnë në atë që për demokratët dhe shqiptarët e thjeshtë është regjimi i Edi Ramës”,
deklaroi Alibeaj.