Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Rama ka bërë të ditur se muajin e ardhshëm, pensionistët do të marrin krahas pensionit edhe 5 mijë lekë të rinj.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se nuk do të ketë vetëm zotim të përgjithshëm për pensionistët, por konkret për ata.
Edi Rama: Jemi sot në kushtet kur mund të ju themi edhe pensionistëve se zotimin për të shpërndarë në radhë të parë drejt tyre taksën e jashtëzakonshme që vumë mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, do ta mbajmë. Sot nuk kemi vetëm zotimin e përgjithshëm, por kemi edhe informimin konkret se për pensionistët do të kenë 50 mijë Lekë të vjetra që do të shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme.
Po ashtu, Rama tha se synohet që paga mesatare të shkojë në vlerën e 900 Eurove.
“Tani kemi në dorë një plan shumë ambicioz por edhe mjaftueshëm të arsyeshme për një rritje pagash e cila synon të mundësojë ngritjen në harkun e këtyre 2 viteve, 2023-2024, të Shqipërisë në nivelin e lartë të rajonit. Dhe faktikisht synon të realizojë një target të një page mesatare prej 900 Eurosh. Që do të thotë se jem në kushtet e një mundësie të re, një mundësi që do ta shfrytëzojmë maksimalisht në të mirë të njerëzve, të familjeve dhe pas rritjes së pagës minimale tani mund të shkojmë drejt rritjes edhe të pagës mesatare”.
Rama deklaroi se rritja e pagës mesatare në nivelin e 900 Eurove do të ndodhë përmes dy fazave brenda 2 viteve të ardhshme.
“Do kemi një rritje tani së shpejti për një pjesë dhe të shkallëzuar detajet të cilat do t’i diskutojmë më konkretisht pas aktit të miratimit që do vijë në 10-15 ditët e ardhshme. Dhe sigurisht do publikojmë edhe planin e plotë që të gjithë ta dinë se çfarë do pasojë. Kemi thënë për rritjen e pagës së mjekëve dhe infermierëve me 7% këtë vit, dhe pasi të bëjmë rritjen e kësaj pjese me 7% do shkojmë në rritjen tjetër që do jetë rritje e konsiderueshme me vitin e ardhshëm. Ndërkohë për të tjera kategori do kemi rritje të menjëhershme të këtij viti”, theksoi Kryeministri Edi Rama.
Kreu i qeverisë e konsideroi si historike dhe më të rëndësishme reformën në sistemin e pagave, si dhe u bëri thirrje bizneseve private që të aplikojnë politikën e rritjes së pagave. Kujtojmë se nga muaji prill paga minimale do të shkojë në vlerën e 40 mijë lekëve të rinj.