Kryeministri ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19 dhe për procesin e rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit të kaluar.
Rama shkruan në “Facebook” se spitalet ku trajtohen personat e infektuar me koronavirus janë në standarde europiane dhe sipas tij, të tilla do të jenë deri në përfundim të pandemisë.
Po ashtu, kryeministri shkruan se procesi i rindërtimit po ecën me ritme të shpejta dhe se shtëpitë do të ndërtohen në kohë rekord.
Rama shkruan për qeverinë e tij se; “ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!”
Reagimi:
Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shembëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Europës!
Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë!
Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t’i përballojë e t’i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka! #KrenarpërPS.





