Kryetari i PD-së, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka reaguar për atentatin me tritol ndaj kreut të PD-së në Bashkinë e Vaut të Dejës, Benard Ndrecës, i cili nuk ka pësuar dëmtime.

Kryedemokrati Berisha është shprehur se ky është një akt terrorist shtetëror me të cilin sipas tij, Kryeministri Rama ka hapur fushatën e tij elektorale.

Sali Berisha: Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizimit shtetëror kundër Benard Ndrecës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Benard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është edhe familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave kanë vendosur në 1 e 15 minuta të mëngjesit tritolin në makinën e tij. Benardi, përballet me një eksploziv të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës, por fatmirësisht vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik. Në këtë akt, Edi Rama inaguron çeljen e fushatës së tij elektorale. Krim të shëmtuar. Bëj përgjegjës direkt Edi Ramën dhe ministrin e familjes Çuçi pasi policia në Vaun e Dejës sillet si një seksion i PS-së. Të gjitha dyshimet të çojnë se ata janë organizatorët e këtij akti.