Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi i është përgjigjur komenteve ironizuese të kryeministrit Rama.
Ky i fundit, gjatë çeljes së fushatës së PS-së ditën e sotme, e cilësoi Këlliçin një kandidat të lodhur dhe gjithashtu ka ironizuar premtimet e bëra nga Këlliçi për transport publik.
Përmes një postimi në Facebook, kandidati i “Bashkë Fitojmë” shkruan se Rama jeton me konfliktin politik, me sulmet dhe ofendimet, në mënyrë që njerëzit të harrojnë bilancin katastrofik në qeverisje.
Kandidati demokrat thekson se ai përfaqëson një model tjetër, me projekte konkrete, siç është urbani falas, për të lehtësuar koston e jetesës së qytetarëve.
Duke iu drejtuar kreut të qeverisë, Këlliçi i kujton se “Cirkut të batutaxhiut, me shokët e ngushtë në burg për korrupsion, e me kryetarët e bashkive gati për në SPAK, i ka ikur koha”.
Reagimi i plote:Kryeministri dhe kryebashkiaku i tij, i shtuan sot Tiranës edhe më shumë fasadë, shfaqje, e propagandë. Asgjë nga këto nuk i ndihmon qytetarët, nuk hap një vend të ri pune, nuk ul koston e rënduar të jetesës.Shefi i rilindjes tregoi se ai jeton me konfliktin politik, me sulmet dhe ofendimet. Sepse shpreson, që në këtë mënyrë, njerëzit do të harrojnë bilancin katastrofik që ai ka në qeverisje, dhe të besuarit e tij nëpër bashki.Unë kam një model tjetër. Me projekte konkrete që do të sjellin zbutjen e kostos së lartë të jetesës. Ndryshe nga shëndetësia jote falas, urbanin e Tiranës, kurdo që te hypësh e kudo që te shkosh, do ta kesh falas.Këto janë zgjedhje për qytetarët, për shqetësimet dhe për jetën e tyre. Cirkut të batutaxhiut, me shokët e ngushtë në burg për korrupsion, e me kryetarët e bashkive gati për në SPAK, i ka ikur koha.