Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zbardhur takimin me zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në fokus të takimit kanë qenë tema të ndryshme, duke nisur nga partneriteti mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, te baza e NATO-s në Kuçovë, Kosova, zgjedhjet e 14 majit, integrimi etj.
Meta flet për një “komunikim të hapur për të gjitha çështjet” me Escobar, teksa në takim ishte dhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
Ai ka theksuar gjatë bisedës se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.
POSTIMI I PLOTË
Mirëprita ditën e sotme Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve për Çështjet Europiane dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.
Vlerësova komunikimin e hapur për të gjitha çështjet që diskutuam në takim.
Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit.
E falënderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike.
Vlerësova se angazhimi i SHBA-ve në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.
Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit.
Nënvizova vendosmërinë e Partisë së Lirisë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga partneriteti dhe aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA.
Po kështu, shpreha vendosmërinë e Partisë së Lirisë, për të përshpejtuar procesin e integrimit Europian të vendit, me prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.