Dy mandatet e liruara në Shkodër nga deputetët që do të kandidojnë për kryetarë bashkie janë refuzuar nga përfituesit.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nuk e ka pranuar mandatin e deputetit të lënë bosh nga Benet Beci në Shkodër, pasi ky i fundit garon për kryebashkiak të këtij qyteti më 14 maj.
Beqaj që ishte emri i radhës në listën e Partisë Socialiste, me 3920 votat e fituara në zgjedhjet parlamentare, ka dorëzuar përgjigjen e tij negative në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas listës së rezultateve të vitit 2021, pas Beqajt duhet që mandati t’i kalojë Frrok Gjinit. Kuota gjinore nuk është problem sepse është plotësuar me Edona Bilalin, kështu që mandati i kalon Frrok Gjinit, i cili ka siguruar 1521 vota.
Po në Shkodër është refuzuar marrja e mandatit edhe nga lista e Partisë Demokratike. Pas dorëzimit të mandatit nga ana e Zef Hilës që kandidon për Bashkinë e Vaut të Dejës ai i takon Bardh Spahisë, aktualisht kryetar i Bashkisë së Shkodrës.
Spahia e ka refuzuar mundësinë për t’u bërë deputet pasi ai kandidon për një mandat tjetër si kryetar i Bashkisë së Shkodrës nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Tashmë pritet që vendi i lënë nga Zef Hila në Kuvendin e Shqipërisë të zihet nga Ludovik Hasani i cili me 3810 vota e siguruara në zgjedhjet parlamentare është në listën e demokratëve pas Bardh Spahisë.