Janë rreth 30 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë për zgjedhjet e 14 majit, të cilët do të shkojnë për verifikim më të thelluar. Celibashi ka vendosur të kërkojë infromacion shtesë nga Prokuroria nëse ata do të jenë pjesë e garës elektorale apo jo.  

Tek lista e emrave që do të shkojnë për verifikim nuk është Qerim Ismailaj, kryetari aktual dhe njëkohësisht kandidati i PS-së për Bashkinë e Mallakastrës për shkak se ka pasur disa pretendime shtesë lidhur me situatën e tij, çka është vlerësuar nga Celibashi se do të duhet më shumë kohë për të vlerësuar dokumentacionet e marra.

Mes emrave të tjerë që kanë shkuar për verifikim bëhet fjalë edhe për kandidatin e PS-së, Kreshnik Hajdari në Kuçovë, kandidatin në Vaun e Dejës, Kristjan Shkreli, Artur Bushi në Bashkinë e Krujës.

Nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” është Rezeart Tusha për të cilin ka pasur edhe një ankimim që është bërë sipas PD-së në formularin e dekriminalizimin për një dënim në shtetin e Zvicrës. Nga ana tjetër, edhe për kandidatin e Himarës dhe Devollit do të ketë një verifikim nga ana e Prokurorisë. Ndërsa për Partinë Demokratike do të jetë Agron Kapllani, kandidati i Mallakastrës.

Janë edhe një sërë emrash të tjerë, pjesë e listës së këshillave bashkiakë, të cilët janë vlerësuar gjithashtu nga ana e Celibashit se duhet informacion shtesë nga ana e Prokurorisë.

Duhet që brenda 10 ditëve të ketë një përgjigje përsa i përket të gjitha çështjeve që do të adresojë KQZ, megjithatë kryekomisioneri Celibashi shpreson që të gjitha të marrin përgjigje para nisjes së fushatës zgjedhore.