Në një takim me drejtues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara në zgjedhje, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dhënë mesazhe për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit bëri thirrje për një proces të drejtë zgjedhor dhe të bazuar në ligj e Kushtetutë.
“Sigurimi i standardeve zgjedhore është garanci i përfaqësimit të vullnetit të qytetarëve. Proces zgjedhor i drejtë e i paanshëm, i bazuar në Kushtetutë e ligj, detyrim thelbësor ndaj vendit. Mirëadministrimi i zgjedhjeve nga ju, të përmbushi standardet e pacënueshme demokratike”, u shpreh Begaj.
Presidenti foli edhe për precedentët negativë të zgjedhjeve në historinë e Shqipërisë. Por tashmë, sipas Presidentit, instrumentet mbrojtëse janë më të plota dhe shit-blerja e votës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore nuk duhet të tolerohet.
“Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative. Institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre. Kuadri ligjor i zgjedhjeve është më i plotë dhe instrumentat mbrojtëse më të avancuara. Shit-blerja e votës, keqpërdorimi i burimeve shtetërore janë të patolerueshme”.
Presidenti Begaj foli edhe për financimet jo transparente të partive politike, duke kërkuar që kandidatët t’i përmbahen etikës gjatë fushatës elektorale.
“Financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, manipulimi zgjedhor janë të patolerueshme. Subjektet të mos denigrojnë njëri-tjetrin. Etika e garës dhe e komunikimit të rrezatojë qytetari, mirësjelljë dhe respekt. Media, aktor i rëndësishëm për garantimin e një proces sa më të lirë. Zgjedhjet, rol vendimtar për forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe anëtarësimin në BE. Në asnjë rrethanë nuk duhet të shtrembërohet dhe tjetërsohet vullneti dhe vota e lirë”.
Ndërsa qytetarëve u bëri thirrje për të ushtruar të drejtën e tyre të votës dhe të mos intimidohen.