Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta po zhvillon sot një tryezë për politikat sociale të strehimit. Në fjalën e tij ai u shpreh se kjo është një temë e rëndësishme që prek në përgjithësi të rinjtë.

Ai u shpreh se kostoja e jetesës dhe ajo e strehimit, janë bërë të papërballueshme për qytetarët.

“Pamundësia për strehim është një plagë e rëndë sociale, duke u kthyer në një nga arsyet themelore për largimin masiv të qytetarëve tanë në emigrim.

Sepse, për çfarë perspektive mund të flasim për një familje të re, e cila nuk siguron dot një strehë për të rritur fëmijët?

Ku edhe ata që ja dalin, kanë kosto të jashtëzakonshme, janë peng të mikrokredive dhe borxheve.

Duhet të paktën një pagë mujore mesatare, për të përballuar koston e qirasë, apo të kësteve të kredisë.

Kostoja e blerjes së apartamentit, është rritur ndjeshëm, bashkë me kostot e jetesës, nga rritja e çmimeve dhe mosrritja e pagave.

Varfëria është thelluar për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ndërsa strehimi, qoftë me Qira apo për të Blerë, është shtrenjtuar ndjeshëm, duke u bërë i papërballueshëm për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Një familje me të ardhura mesatare, i duhen mesatarisht 30 vjet për të blerë një shtëpi.

Qeveria Rama nuk e ka zgjidhur problemin e strehimit, edhe pse Shqipëria është betonizuar masivisht vitet e fundit. Mjafton të shikojmë situatën në Tiranë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2022, mbi 7 milionë metra katrorë leje ndërtimi janë dhënë në Tiranë, ndërkohë kemi në kryeqytet mijëra apartamente të pashitura, pasi ndërtimi nuk po përdoret si mekanizëm strehimi.

Përkundrazi, po përdoret për pastrimin e parave të pista, gjë që është vënë në dukje dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe Parlamenti Europian.

Njëkohësisht, fondi 3% i banesave, pra që synon banesa të gatshme që u merren ndërtuesve të cilët marrin leje për sipërfaqe mbi 2000 m2, për t’ja dhënë qytetarëve si banesa sociale, nuk ju është vendosur ne dispozicion qytetarëve, për shkak të pazareve që bëjnë me ndërtuesit, dhe qytetarët i keni parë se si nxiren nga shtëpitë me forcë dhe rrinë rrugëve.

Rreth 25 mijë metra katrorë nga këto që Bashkia e Veliajt duhet ti merrte sipërfaqe banimi të ndërtuara, nuk ja ka marrë ndërtuesve dhe aq më keq, u ka lejuar dhe pazaret me para, duke shkelur haptazi Nenin 19 të ligjit 22/2018, “Për Strehimin Social”.

Ne si Parti e Lirisë e kemi çuar këtë çështje në SPAK.

Aktualisht qeveria dhe pushteti vendor së bashku, pa llogaritur fondet për rindërtimin nga tërmeti, planifikojnë për vitin 2023, vetëm rreth 878 milionë lekë të reja, ose, 7.6 milionë Euro, për subvecionimin e qirave të banesave dhe për investimet për strehim sociale.

7.6 milionë Euro, do të mjaftonin vetëm për blerë 100 apartamente me kosto 700 Euro m2, me sipërfaqe 100 m2.

Ose, për subvencionimin e qirasë mujore për gati 2000 familje.

Bashkia e Tiranës, për vitin 2023 planifikon 222 milionë lekë, ose 1.9 milionë Euro.

Nga këto, vetëm 80 milionë lek, ose 700 mijë Euro, janë politikë sociale për strehim, për bonus strehimi për familjet në nevojë. Ndërsa 140 milionë lekët e tjera, nuk kanë të bëjnë me politikë sociale strehimi, por janë për familjet që preken nga zbatimi i projekteve të rehabilitimit në rastin e lumit të Lanës, të lagjes 5 Maji, të rindërtimit në Kombinat dhe të segmentit Komuna e Parisit – Rruga e Kavajës.

Partia e Lirisë nisur nga vullneti politik i saj për të adresuar këtë problematikë të rëndë sociale, si dhe nga eksperiencat e vendeve të Bashkimit Europian, në lidhje me politikat e strehimit, propozon një sërë masash politike, të mundshme, duke ju referuar mesatares të financimit të programeve të strehimit të këtyre vendeve europiane”, tha Meta.