Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkimit Evropian dhe Bashkëpunimit të Mbretërisë së Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno.

Palët gjatë diskutimeve të tyre janë fokusuar, përveç bashkëpunimit dypalësh, edhe në trajtimin e linjave kryesore të Presidencës së ardhshme spanjolle të BE-së.

Në këtë kuadër është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi në forcim të bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian, mes tyre.

“Kemi rënë dakord për të nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve tona me synim arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian. Në këtë memorandum parashikohet që Spanja, të na mbështesë duke ofruar shërbime konsulence dhe asistencë teknike. Që Spanja të na mbështesë duke ofruar konsulencë, bashkëpunim, kjo patjetër edhe në kuadër të planit ekonomik”, u shpreh ministrja Xhaçka.

Në deklaratën e saj për mediat, ministrja Xhaçka është shprehur se deri në fund të vitit 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit.

“E informova homologun Albares mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit. Deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit. Kërkova mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë”, ka thënë Xhaçka.