Presidenti amerikan, Joe Biden i ka bërë thirrje agjencive federale që të rrisin masat e tyre të sigurisë pas një rrjedhjeje masive të dokumenteve të klasifikuara në SHBA.
“Ndërsa ne jemi ende duke përcaktuar vlefshmërinë e atyre dokumenteve, unë i kam udhëzuar komunitetin tonë ushtarak dhe të inteligjencës që të ndërmarrë hapa për të siguruar dhe kufizuar më tej shpërndarjen e informacionit të ndjeshëm dhe ekipi ynë i sigurisë kombëtare po koordinon ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë”, tha Biden në një deklaratë pasditen e sotme.
Biden përgëzoi FBI-në për arrestimin e të të dyshuarit 21-vjeçar, Jack Teixeira , të cilin hetuesit e akuzojnë për postimin e dokumenteve të klasifikuara amerikane.
Dokumentet përmbanin informacione të ndjeshme, duke përfshirë përgjimin e aleatëve dhe kundërshtarëve kryesorë dhe vlerësime të prera mbi gjendjen e luftës në Ukrainë.





