Koalicioni “Bashkë Fitojmë” nisi fushatën zgjedhore për 14 Majin në stadiumin “Air Albania”. I pari që mori fjalën ishte kandidati për Tiranën, Belind Këlliçi, i cili tha se ofron për kryeqytetin “zgjidhje, besnikëri, mirësi, ndihmë dhe vërtetësi”. Ai u shpreh se premtimet e tij janë 100% të realizueshme.
“Unë jam i pari që besoj në premtimet që kam dhënë dhe a e dini pse të dashur miq? Sepse janë të gjitha të arritshme 100% të realizueshme”, u shpreh ai.
Këlliçi i qëndroi premtimit të tij për transport falas sipas të cilit përfitojnë 200 mijë banorë.
“Jam i lumtur veç kur e mendoj që 200 mijë banorë që udhëtojnë çdo ditë me urban edhe për 1 muaj nuk do të paguajnë më. Me këto rroga e pensione që keni ato para do t’ju duhen në xhep.
Autobusi do të jetë pa pagesë, kushton vetëm 6.8% të buxhetit të Bashkisë Tiranë. Taksat tona nuk do i marrin më bosët e inceneratorëve. Ju nuk do të mbani më me para ata që janë në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia. Financimi i inceneratorit imagjinar të Tiranës, do të ndërpritet urgjentisht”, tha Këlliçi.