Ferrari e ka nisur mes shumë dyshimesh sezonin e ri të Formula 1 me Charles Leclerc dhe Carlos Sainz që duken shumë larg pritshmërive. “Kokëkuqja” renditet pas RedBullit, Aston Martin dhe herë pas herë, edhe pas Mercedesit. Italianët duket se kanë nevojë për një “shkundje” në mënyrë që të rigjejnë versionin e tyre më të mirë dhe se fundmi, Lapo Elkann, vëllai i vogël i pronarit të Ferrarit, John Elkann, shprehet se Ferrari duhet trajtuar me më shumë seriozitet.
“Ferrari ka nevojë për njerëz serioz dhe një skuadër fituese, këtë e kam për ata që punojnë në bokse dhe ata që janë në pistë. Është koha për t’u zgjuar. Boll më me kto politikat dhe justifikimet pasi përndryshe nuk do të fitojmë kurrë”, u shpreh Lapo. Nga ana tjetër, ky i fundit i doli në krah edhe tifozëve të cilët shprehen se presidenca, ku bën pjesë edhe vëllai i Lapos, është inekzistente. Vetë Lapo e pranoi këtë dhe shtoi se i vinte keq ndërsa shpreson që situata të ndryshojë dhe Ferrari të rikthehet te suksesi, madje duke nisur nga sezoni aktual.





