PD e drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj i ka dërguar një ankesë autoritetit të mediave audiovizive, ku i kërkon të monitorojë dhe hetojë televizionet të cilat prezantojnë si kryetar të Partisë Demokratike Sali Berishën.

Kërkesa e PD-së i është drejtuar dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet që të mos përdoren më cilësimet ndaj Berishës si “Kryetar i Partisë Demokratike”, “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit”, “Fraksioni i rithemelimit në Partinë Demokratike”, pasi sipas tij një subjekt i tillë zgjedhor nuk është regjistruar në zgjedhje.

“Pavarësisht qartësisë së prodhuar nga institucionet e cituara më lartë konstatojmë se disa media audiovizive me frekuencë kombëtare në raportimet e tyre lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, i referohen deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Sali Berisha, si “Kryetar i Partisë Demokratike”, “Partia Demokratike Grupi i Rithemelimit” “Fraksioni i rithemelimit në Partinë Demokratike” etj.

Megjithëse drejtimi i Partisë Demokratike dhe mosregjistrimi i grupimit të vetëquajtur “Rithemelimi” si subjekt zgjedhor këto janë fakte publike, të njohura dhe të raportuara nga vetë subjektet mediatike, këto të fundit vazhdojnë që në shkelje të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, t’i referohen z. Berisha, si kryetar i Partisë Demokratike dhe të përdorin në emisionet informuese qëndrime që nuk përkojnë me realitetin ligjor dhe zgjedhor.

Kjo sjellje përveçse përbën keqinformim, krijon konfuzion të qytetarëve, përsa i përket lidershipit zyrtar të kësaj force politike, pjesëmarrjes në zgjedhje dhe kandidaturave të mbështetura nga ana e saj, duke sjellë cënimin e interesit publik”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar KQZ-së dhe AMA-s.